Botë

Në Itali gati 14 mijë të vdekur, në Spanjë mbi 10 mijë

Foto: Reuters / ilustrim

Totali i vdekjeve nga koronavirusi në Itali është rritur për 760 në 13,915 gjithsejtë, ka njoftuar të enjten Agjencia për Mbrojtje Civile, që është një rritje e vogël e vdekjeve në krahasim me një ditë më parë.

Numri i rasteve të reja thuajse është normalizuar, duke u rritur për 4,668 në krahasim me 4,782 një ditë më parë, e duke e çuar numrin total të infektimeve në 115,242, raporton Reuters.

E enjtja ishte dita e katërt me radhë në të cilën numri i rasteve të reja mbeti brenda shifrave 4,050-4,782, që konfirmon në njëfarë forme shpresat e qeverisë se epidemia ka prekur tavanin, dhe në të ardhmen e afërt pritet të ketë ulje të infektimeve, transmeton KOHA.

Italia preku kulmin me raste të reja, 6,557, më 21 mars.

Nga të infektuarit në mbarë vendin, 18,278 u shëruan tërësisht të enjten, në krahasim me 16,847 një ditë më parë.

Në Itali janë regjistruar më shumë vdekje se kudo tjetër në botë.

Kurse Spanja të enjten raportoi se shifrat e vdekjeve në vend kanë kaluar mbi 10,000 pasi vetëm në 24 orët e fundit u regjistrua numër rekord vdekjesh prej 950 personash.

Spanja tash renditet e dyta me numrit më të madh të vdekjeve, pas Italisë, me 10,003 viktima, por bilanci i së enjtes ishte më i larti që ka regjistruar ndonjë vend që kur u shfaq epidemia.

Po ashtu, numri i rasteve të regjistruara me koronavirus u rrit për rreth 8% të enjten në 110,238 gjithsejtë. Numri i rasteve me vdekje u rrit për më shumë se 10%, pothuajse shifër e ngjashme me të një dite më parë.