Botë

Maqedonia shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe shtyn zgjedhjet pa afat

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend për shkak të koronavirusit, njofton Alsat-M.

Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë me mundësi shtyrje, varësisht nga situata që do të ndodhet vendi nga koronaviruasi.

“Para pak çasteve firmosa vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vendimi im bazohet në nenin 125 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do të zgjasë 30 ditë me mundësi zgjatje në varësi të situatës”, deklaroi Stevo Pendarovski, raporton Koha.

Pendarovski po ashtu shtyu edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare pa afat, e të cilat ishin paraparë për muajin e ardhshëm, deri sa të krijohen kushtet për t’i mbajtur ato në mënyrë të sigurt.

Ai tha se pushteti ekzekutiv do të ketë kompetenca të zgjeruara dhe do të mund t’i shfrytëzojë të gjithë resurset e shtetit

“Pushteti ekzekutiv do të ketë kompetenca të zgjeruara dhe do të mund t’i shfrytëzojë të gjithë resurset e shtetit, përsëris, të gjitha, edhe shtetërore, edhe private, që më me sukses ta menaxhojmë epideminë. Në situatë të jashtëzakonshme, Qeveria do të mund të sjellë urdhëresa me fuqinë e ligjit me qëllim që të aplikojë kufizime më të mëdha në lëvizjen e qytetarëve dhe veçanërisht të sigurojë mjete më të mëdha për mbështetjen e ekonomisë e cila hyn në një periudhë krize”, tha Penderovski.