Botë

SHBA-ja nis testimin në njerëz të vaksinës kundër COVID-19

Foto: Reuters / ilustrim / Arkiv

Testimet e para në njerëz për të vlerësuar një vaksinë kandidate kundër koronavirusit të ri ka nisur në Seattle, kanë thënë zyrtarë shëndetësorë amerikanë të hënën, duke rritur shpresat në luftën globale kundër sëmundjes.

Por, që ajo të jetë në dispozicion të gjerë, do të duhen edhe 1 vit apo 18 muaj, pasi t’i ketë kaluar fazat testuese për të provuar se funksionon dhe është e sigurt, raporton AFP.

Vaksina quhet “mRNA-1273” dhe është zhvilluar nga shkencëtarë të Instituteve Kombëtare Amerikane të Shëndetësisë (NIH) dhe bashkëpunëtorë në kompaninë bioteknologjike Moderna, me bazë në Cambridge, Massachusetts, transmeton KOHA.

“Testimi i hapur do të ketë në përbërje 45 vullnetarë të rritur të shëndetshëm të moshave nga 18 deri në 55 vjeç gjatë një periudhe prej afërsisht 6 javësh”, tha NIH. “Pjesëmarrësi i parë ka pranuar vaksinën eksperimentale sot”.

Deri më tani, s’ka asnjë vaksinë apo trajtim të aprovuar kundër sëmundjes së koronavirusit, e njohur si COVID-19, e cila ka infektuar mbi 175,000 persona në mbarë botën që kur u identifikua për herë të parë në Kinën qendrore në fund të dhjetorit.

Ka marrë rreth 7,000 jetë, sipas të dhënave të AFP-së, më së shumti në Kinë, e më pas në Itali.

“Gjetja e një vaksine të sigurt dhe të efektshme për të parandaluar infektimin me SARS-CoV-2 është një prioritet urgjent i shëndetit publik”, tha Anthony Fauci, shef i repartit të sëmundjeve infektive në NIH.

“Studimi në këtë Fazën e parë, i nisur në një kohë rekorde, është një hap i rëndësishëm drejt arritjes së qëllimit”.

Testimet në Seattle do të studiojnë ndikimin e dozave të ndryshme përmes injektimit intramuskular në pjesën e sipërme të krahut, me pjesëmarrësit që do të monitorohen për efekte anësore si dhimbje apo ethe.

Koronavirusët janë sferikë dhe kanë thumba që dalin nga sipërfaqja e tyre, duke u dhënë atyre një pamje të kurorës. Thumbi lidhet me qelizat e njeriut, duke lejuar që virusi të fitojë qasje.