Botë

Shkon në 25 numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë Veriore

Foto: Reuters

Pesë raste të reja me koronavirus janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut duke e çuar në 25 numrin e përgjithshëm të të infektuarve me Covid-19.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se 4 nga të infektuarit janë nga Dibra dhe 1 nga Shkupi. Testimet janë bërë edhe për tre persona të tjerë, por ato kanë dalë me rezultate negative. Dy persona të tjerë janë testuar në një klinikë private dhe besohet të jenë pozitiv, por nuk merren si numra zyrtarë pa u konfirmuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Klinika Infektive. Mbi 30 të tjerë janë vendosur në izolim shtëpiak.

Një person i infektuar është liruar pas shërimit të plotë në Klinikën Infektive.

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare ka theksuar se për momentin “nuk ka nevojë për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë territorin si pasojë e koronavirusit”, raporton REL.

Presidenti Pendarovski, tha se përveç Dibrës dhe Zhupës, do të shpallet gjendje krize edhe në komunat tjera nëse situata e imponon një gjë të këtillë, duke paralajmëruar se kjo situatë do të zgjasë edhe për një kohë më të gjatë.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e autoritete të vendit.

Ndryshe më 12 mars u shpall gjendje krize në Dibër dhe Zhupë, rajon ky në perëndim të vendit për shkak se numri më i madh i të infektuarve me koronavirus janë nga këto zona.