Botë

Vazhdojnë përplasjet mes Turqisë dhe Greqisë për krizën me refugjatë

Foto: Reuters

Zyrtarët e Turqisë kanë deklaruar se forcat greke kanë vrarë një refugjat dhe kanë plagosur pesë të tjerë, gjatë përpjekjes së tyre për ta kaluar kufirin mes dy shteteve.

Këtë e kanë mohuar autoritetet greke, duke e quajtur pretendimin si lajm të rremë.

Turqia e alarmuar nga mundësia e shpërthimit të një vale të re refugjatësh nga veriperëndimi i Sirisë, javën e kaluar hapi kufijtë për refugjatët që menjëherë ia mësynë rrugës drejt Evropës, raporton KTV.


Lexoni edhe: 

Grushte mes deputetëve turq [video]


Që prej këtij vendimi, më shumë se 10 mijë refugjatë, kryesisht nga Siria, Lindja e Mesme dhe Afganistani, mbërritën në kufirin grek me shpresën për të kaluar në Evropën Perëndimore.

Forcat greke kanë përdorur gaz lotsjellës ndaj refugjatëve, ndërsa autoritetet turke në pikëkalimin kufitar të Edirnesë, kanë thënë se një refugjat ka vdekur në spital, kur policia greke shtiu në drejtim të tij me plumba të vërtetë, afër pikëkalimit në Pazarkule.

Akuzat mes Greqisë dhe Turqisë nisën të martën, kur shteti turk deklaroi se grekët vranë tre refugjatë që po tentonin kalimin e kufirit.