Botë

Ministri gjerman i Shëndetësisë: Koronavirusi është kthyer në pandemi globale

Foto: Reuters

Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn, ka thënë se infektimi me koronavirus tashmë është kthyer në pandemi globale, njofton AFP.

Fjalimin e tij, si qëndrim të Qeverisë gjermane, Spahn e mbajti të mërkurën në Bundestag, raporton Koha.net.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ende nuk e ka shpallur si pandemi.

“Nga epidemia e koronaviorsit në Kinë ka ardhur deri te pandemia botërore”, ka thënë ministri gjerman. “Po punojmë në atë që të menaxhojmë këtë situatë. Deri javën e shkuar, të gjitha rastet kemi mundur t’i lidhim me infektimet jashtë vendit, por tash, në Gjermani dhe Evropë, kemi një situatë tjetër”.

Ai ka thënë se interesat e qytetarëve janë më të rëndësishme se sa ato të bizneseve.

Në Gjermani, deri më tash, janë regjistruar 244 raste me koronavirus, prej tyre 41 në 24 orët e fundit. Ende nuk ka asnjë të vdekur si pasojë e këtij virusi.

Ndërkohë, në gjithë botën janë shënuar mbi 90.000 raste të të infektuarve, kurse mbi 3.200 të vdekur si pasojë koronavirusit.