Botë

Pas sulmit në Hanau, kërkohet mbikëqyrje kushtetuese për partinë e ekstremit të djathtë

Zyrtarë të lartë politikë në Gjermani kanë kërkuar vënien nën vëzhgim të partisë së të djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë, pasi e akuzuan se ka ndikuar në ushqimin e retorikës ekstremiste që u bë shtysë për sulmet vdekjeprurëse në Hanau.

Nëntë persona, kryesisht të rinj dhe emigrantë, mbetën të vdekur të mërkurën mbrëma në këtë qytet perëndimor, pas sulmeve të Tobias Rathjenit. 43-vjeçari kishte shprehur qëndrime raciste në një videoxhirim dhe manifest të publikuar në internet para vrasjeve, raporton KTV.

Lars Klingbeil, Sekretari i Përgjithshëm i Socialdemokratëve të koalicionit qeverisës në Gjermani, ka thënë se AfD-ja duhet qartazi të vihet nën mbikëqyrje kushtetuese.

Agjencia e Brendshme e Inteligjencës e ka monitoruar këtë parti për të përcaktuar nëse duhet që ta vërë nën mbikëqyrje, por deri më tani nuk e ka marrë një veprim të tillë. Ndryshe, dega rinore e AfD-së, JVA-ja, është nën mbikëqyrje kushtetuese. Nëse autoritetet gjermane konstatojnë se një organizatë ka “ambicie ekstremiste”, atëherë e mbajnë nën mbikëqyrje strikte përmes teknikave të ndryshme të monitorimit.

Sulmet e dyfishta në Hanau kanë nxitur policinë që të angazhojë forca shtesë për mbrojtjen e xhamive, stacioneve hekurudhore, aeroporteve dhe lokacioneve të tjera të ndjeshme në vend.

Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, ka thënë se sulmet janë dëshmi se “njollat e gjakut të ekstremizmit djathtist po përhapen në Gjermani”.

Prokurorët gjermanë kanë njoftuar se sulmuesi që u gjet i vdekur në banesën e tij kishte bindje thellësisht raciste dhe se në cak të tijin ishin emigrantët. Pesë nga viktimat e sulmeve në dy shisha-bare të Hanaut u raportua të jenë turq dhe kurdë.