Botë

Fondacioni “Gates” zoton 100 milionë dollarë për të luftuar koronavirusin

Foto: Reuters

Fondacioni “Bill & Melinda Gates” po i shton përpjekjet për të luftuar koronavirusin e përhapur nga Wuhani i Kinës me një zotim substancial – 100 milionë dollarë për të ndihmuar në detektimin, mospërhapjen dhe trajtimin e të ashtuquajturit virus 2019-nCoV.

“Shpresojmë se këto resurse do të ndihmojnë në katalizimin e një reagimi të shpejtë dhe të efektshëm ndërkombëtar. Ky reagim duhet të udhëhiqet nga shkenca e jo nga frika, dhe duhet ndërtuar mbi hapat që Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka ndërmarrë deri më tani”, ka thënë CEO i “Gates Foundation”, Mark Suzman, në një deklaratë, shkruan “Fortune”.

Zotimi i 100 milionë dollarëve përfshin 10 milionë dollarët që organizata filantrope tashmë i ka ndarë për përpjekjet për mospërhapjen e koronavirusit në janar.

Paratë, sipas organizatës, do të vijnë në faza – përfshirë një zotim prej 20 milionë dollarësh të menjëhershëm për disa organizata publike shëndetësore siç janë OBSH-ja, CDC-ja, dhe punëtorët shëndetësorë që janë në vijat e frontit duke e luftuar virusin në Kinë, transmeton Koha.net.

60 milionë dollarë tjerë do të dërgohen tek partnerët globalë siç është Koalicioni për Inovacione të Përgatitjes Epidemike në mënyrë që të punohet në zhvillimin e vaksinës dhe në barin anti-viral.

“Organizata multilaterale, qeveri nacionale, sektori privat dhe filantropët duhet të punojnë së bashku për të ulur ritmin e përhapjes së virusit, të ndihmojnë vendet të mbrojnë qytetarët e tyre më të vlefshëm dhe të përshpejtojnë zhvillimin e mjeteve për të futur nën kontroll këtë epidemi”, tha Suzma.