Botë

BE-ja kërkon zgjatje të afatit të negocimit me Britaninë për periudhën e tranzicionit

Afati i negocimit për marrëdhëniet e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me BE-në mund të zgjatet, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka deklaruar se periudha e tranzicionit pas Brexit-it nuk do të zgjatet përtej 31 dhjetorit 2020, transmeton KTV.

Por, Ursula von der Leyen, së fundmi, ka thënë se të dyja palët duhej të mendonin seriozisht nëse kjo është koha e mjaftueshme për të arritur marrëveshje. Ajo tha se ishte shumë e shqetësuar me faktin se sa pak kohë është në dispozicion.

“Do të ishte e arsyeshme të vlerësohet situata në mes të vitit dhe pastaj, nëse është e nevojshme, të pajtohemi për zgjatjen e periudhës së tranzicionit”, ka thënë ndër të tjerash presidentja e Komisionit Evropian.

Javën e kaluar, deputetët britanikë e mbështetën planin e Johnsonit për t'u larguar nga BE-ja më 31 janar, i cili plan përfshinte një klauzolë të re që ia ndalonte qeverisë të zgjaste periudhën e tranzicionit përtej fundit të vitit 2020.