Botë

Putini i quan të shpikura akuzat kundër Trumpit

Descriptive Text

Moskë, 19 dhjetor– Procedura e ngritjes së akuzave nga ana e Kongresit amerikan ndaj presidentit Donald Trump për abuzim pushteti, është e bazuar mbi akuza tërësisht të shpikura, deklaroi sot presidenti rus, Vladimir Putin.

“Duhet ende të miratohet nga Senati, ku republikanët kanë shumicën dhe ka shumë pak gjasa që ata të duan të largojnë nga qeveria një përfaqësues të partisë së tyre, duke u bazuar në akuza tërësisht të shpikura”, deklaroi Putin gjatë konferencës së tij vjetore me mediet.

Presidenti Donald Trump dënoi sot, nga Miçigani, vendimin e kongresmenëve demokratë, pak pas miratimit të akuzave kundër tij nga Dhoma e Përfaqësuesve.

“Ndërkohë që ne krijojmë vende pune dhe luftojmë për Miçiganin, e majta radikale e Kongresit konsumohet nga zilia, urrejtja dhe zemërimi”, tha ai gjatë një takimi fushate elektorale, në qytetin e Battle Creek.

“Demokratët po përpiqen të anulojnë votën e dhjetëra milionë amerikanëve”, shtoi ai.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dje dy akuza kundër presidentit amerikan, Donald Trump, një prej të cilave përfshin shpërdorimin me pushtetin.

Partia Republikane e presidentit mbështeti unanimisht liderin e saj gjatë votimit në këtë dhomë/AFP.