Forcat tokësore të Britanisë së Madhe do të mposhteshin lehtë në çfarëdo konflikti me Rusinë në Evropën Lindore.
Në raportin e Institutit Mbretëror të Shërbimeve, thuhet se ushtria dhe aleatët e NATO-s në një konflikt me rusët, do të kishin mungesë të madhe të artilerisë dhe municionit, transmeton KTV raportin e Reutersit. Për këtë shkak, NATO-ja në çfarëdo forme, nuk do të mund të mbante pozicionet e saj mbrojtëse karshi Rusisë.
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se Britania po punon me NATO-n që të ketë rol të rëndësishëm në aleancë.
Hulumtimi rreth kapaciteteve të ushtrisë britanike, vjen një javë para se liderët e NATO-s të mblidhen në Londër për të shënuar 70-vjetorin e aleancës.
Që prej vitit 2014 kur rusët aneksuan Krimenë në Ukrainë, Britania dhe anëtaret e tjera të NATO-s, kanë pozicionuar forcat në lindje të Evropës, për të parandaluar çfarëdo agresioni të mundshëm nga Rusia.
Rreth 800 trupa britanike janë të pozicionuar në Estoni. Kontingjenti i parë u dërgua në vitin 2017.
Por, hulumtimi i Institutit ka gjetur se ushtria britanike ka mungesë të madhe të armatimit, krahasuar me atë ruse.
Ky institut analizoi se kapacitetet ushtarake të Britanisë nuk do të mund të përballonin çfarëdo konflikti me intensitet të lartë mes NATO-s dhe Rusisë.
Artileria ruse tashmë ka dëshmuar se mund të jetë shumë e fuqishme kur në vitin 2014 brenda pak minutave, shkatërroi dy batalione të Ukrainës.
Përveç artilerisë, Britania dhe NATO kanë mungesë të madhe të municionit dhe transportimit.
Ky raport thotë se “ringjallja dhe modernizimi i forcave tokësore të Britanisë, duhet të jetë urgjent dhe me prioritet të lartë”.
Të dhënat e publikuara në lidhje me forcat britanike dhe ato të NATO-s, vijnë vetëm tri javë pasi presidenti Emmanuel Macron tha se NATO-ja është klinikisht e vdekur.
E në një raport tjetër të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, vërehet se numri i forcave të armatosura britanike ka rënë për të nëntin vit me radhë.
-
27 nëntor 2019 21:11
-
Shpërndaje në: