Botë

Në Afganistan hapet televizioni i parë dedikuar grave, stafi do të ketë vetëm gra

Një kanal i ri televiziv dedikuar vetëm grave, do të fillojë transmetimin e parë në Afganistan, që është edhe lloji i parë në një vend, industria e të cilit mbetet e dominuar nga burrat.

Zan Tv (Televizioni i Grave), nis transmetimin e parë këtë të diel, ku gjithë stafi, prezantueset fusha e marketingut e gjithçka tjetër do të jetë vetëm me gra, shkruan Reuters, transmeton Koha.net.

Moderatore të lajmeve ka nëpër disa televizione në Afganistan, por megjithatë televizion, emisionet e të cilit i dedikohen grave nuk ka pasur asnjëherë, prandaj ky televizion do të jetë i pari dhe më i riu në vend.

“Jam shumë e lumtur që do sjellim këtë televizion për gratë, sepse ka gra në shoqërinë tonë që nuk i dinë të drejtat që u takojnë”, ka thënë Khatira Ahmadi, 20 vjeçare që do jetë pjesë e këtij televizioni.

Ky televizion përfaqëson të gjitha gratë dhe vajzat e reja, ato do të punojnë për të ngritur zërin për të drejtat e tyre, edukimin e tyre dhe lirinë e shprehjes nëpër media.

Afganistani njihet si vendi me më shumë probleme në lirinë e të drejtave të grave e gjithashtu cenimin e të drejtës për të punuar në media.