Botë

Klaus Iohannis rizgjidhet president i Rumanisë

Presidenti pro-perëndimor i Rumanisë, Klaus Iohannis, ka fituar mandatin e dytë në këtë pozitë, me zotimet për të kthyer këtë vend në shtet “modern, evropian”.

Rezultatet e para preliminare tregojnë se Iohannis ka fituar më shumë se 66 për qind të votave kundrejt ish-kryeministres të së majtës, Viorica Dancila, e cila ka fituar më pak se 34 për qind.

“Zotohem se do të jem president i të gjithë rumunëve. Sot ka fituar një Rumani, moderne, evropiane dhe normale”, ka thënë ai para mbështetësve të tij në Bukuresht.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, dalja në zgjedhjet e 24 nëntorit ka qenë rreth 50 për qind, në Rumaninë, ku të drejtë vote kanë 18.2 milionë banorë.

Iohannis, 60-vjeçar ka qenë më parë mësues i fizikës dhe kryetar i qytetit rumun, Sibiu.

Ai është parë si mburojë e rezistencës kundër të gjitha sulmeve që ka bërë koalicioni i udhëhequr nga Partia Social-Demokrate e Dancilas për pavarësinë e gjyqësor nga viti 2017 deri në muajin e kaluar, kur kabineti i ish-kryeministres është larguar nga pushteti përmes një vote mosbesimi.

Pas shpalljes së rezultateve, Dancila ka thënë se nuk do të japë dorëheqje nga pozita e saj si kryetare e partisë.

Ajo ka thënë se fajtor për këtë rezultat është “gjuha e urrejtjes” që është përdorur nga Iohannis/Rel.