Botë

Papa në Hiroshimë kërkon eliminimin e armëve bërthamore

Foto: Reuters

Papa Françesku e ka sjellë fushatën e tij për eliminimin e armëve bërthamore tek dy qytetet e vetme të goditura ndonjëherë nga armët e tilla, gjatë një vizite në Japoni. Në fjalimin në Hiroshima, të dielën, ai e ka quajtur pervers dhe të pamoralshëm posedimin e armëve të tilla dhe krim përdorimin e tyre.

Françesku i ka vizituar pikat zero të Hiroshimës dhe Nagasakit, të dyja të gdhendura në vetëdijen kolektive të botës pas bombave të hedhura aty nga SHBA-ja, brenda një distance kohore prej tri ditësh në gushtin e 1945-s, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

“Përdorimi i energjisë bërthamore për qëllime të luftës është sot më shumë se kurrë më parë, jo vetëm krim kundër dinjitetit të qenieve njerëzore, por është kundër çdo të ardhmeje të mundshme në shtëpinë tonë të përbashkët”, ka thënë Papa gjatë fjalimit në Memorialin e Paqes në Hiroshima.

Më 6 gusht të vitit 1945, bomba e parë bërthamore është lansuar nga SHBA-ja në Hiroshimë. Tri ditë më vonë ishte lëshuar e dyta, në Nagasaki, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Më shumë se 100.000 veta u vranë në vend në këto dy sulme, derisa 400.000 tjerë vdiqën në muajt, vitet dhe dekadat më pas, nga sëmundjet e lidhura me rrezatimin.

Më herët gjatë ditës, Papa vizitoi Nagasakin, ku bëri thirrje që bota të eliminojë armët bërthamore.

“Ky vend na bën të vetëdijshëm për vuajtjen dhe tmerrin që ne si qenie njerëzore mund të shkaktojmë ndaj njëri-tjetrit”, kishte thënë Papa teksa vizitoi Parkun e Bombës Bërthamore në Nagasaki.

“Paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar nuk janë në përputhshmëri me përpjekjet për të nxitur frikë dhe shkatërrim të ndërsjellë ose me kërcënimet për asgjësim të plotë”, ka deklaruar ai.

Papa Françesku arriti në Japoni më 23 nëntor, që është ndalesa e tij e radhës në kuadër të turneut aziatik që e nisi në Tajlandë.

Papa pritet të takohet me perandorin japonez, Naruhito, i cili mori fronin më 1 maj. Po ashtu, ai pritet të takohet edhe me kryeministrin japonez Shinzo Abe.

Kjo është vizita e parë e një pape në Japoni në 38 vjetët e fundit. Më 1981, Papa Gjon Pali i Dytë kishte vizituar Hiroshimën, Nagasakin dhe Tokion.