Botë

Boltoni rikthen llogarinë në Twitter, akuzon Shtëpinë e Bardhë për bllokim të qasjes në të

Descriptive Text

Ish-këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, John Bolton, ka thënë të premten se “Twitter Inc” ia ka rikthyer atij kontrollin ndaj llogarisë së tij personale pasi i ishte marrë nga Shtëpia e Bardhë, në cicërimin e tij të parë pasi kishte dhënë dorëheqje nga ky post në shtator.

“Tani e kemi çliruar llogarinë në Twitter, që më ishte marrë padrejtësisht pas dorëheqjes sime si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare”, shkroi Boltoni për më shumë se 790,000 ndjekësit e tij.

“Nga frika se çka mund të them? Për ata që spekuluan se jam zhdukur, më vjen keq që ju zhgënjej”.

“Thënë të drejtën e plotë, Shtëpia e Bardhë asnjëherë s’ma ktheu qasjen në llogarinë time në Twitter. Faleminderit Twitter-it që i përmbahet standardeve të veta për komunitetin dhe që ma ktheu me të drejtë kontrollin ndaj llogarisë sime”, shkroi ai.

Ai tha se për tregimet e tij gjatë kësaj kohe, “qëndroi me ne”.

Surroi: Tri lexime të John Boltonit

Postimi i Boltonit bie ndesh direkt me komentet që Trumpi i kishte bërë më herët në “Fox News”. I pyetur gjatë një interviste nëse Shtëpia e Bardhë ia kishte ngrirë llogarinë Boltonit, të premten Trumpi tha: “Jo, natyrisht se jo”, raporton CNN.

CNN ka kërkuar koment nga Shtëpia e Bardhë.

Hera e fundit që Boltoni kishte shkruar në Twitter ka qenë rreth dy muaj më parë.

Postimet e para të Boltonit të premten nxitën reagimin e ish-Këshilltares së Sigurisë Kombëtare, Susan Rice.

“Kur zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të Obamas lanë Qeverinë, na kërkuar nga avokatët e etikës në Shtëpinë e Bardhë që t’i arkivojmë të gjitha cicërimat e lëshuara derisa ishim në Qeveri dhe të nisnim nga e para në llogaritë tona. Me fjalë tjera, më është dashur të heq dorë nga më shumë se 600 mijë ndjekësit dhe të nisi nga zeroja. Më vjen mirë që shoh se Shtëpia e Bardhë e Trumpit është konsistente në korrupsioni e saj”, shkroi ajo.

Postimi i fundit i Boltonit para kthimit të llogarisë ishte ai i bërë në datën 10 shtator, në ditën e largimit të tij, në të cilin postim ai kundërshtonte deklarimin e Trumpit se ishte shkarkuar.

“Kam ofruar dorëheqjen mbrëmë dhe Presidenti Trump tha, ‘Të flasim për këtë çështje nesër’”, shkruante Boltoni asokohe në Twitter.