Botë

Reagime të shumta pas vendimit të SHBA-së për vendbanimet ilegale izraelite

Palestinezët e kanë dënuar vendimin e SHBA-së për të ndryshuar pozicionin e saj katër-dekadësh ndaj vendbanimeve hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor. Ata thonë se ky vendim është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Kryenegociatori Saeb Erekat, tha se vendimi i Administratës Trump kërcënoi të zëvendësojë të drejtën ndërkombëtare me “ligjin e xhunglës”, transmeton KTV. Por, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e vlerësoi vendimin e SHBA-së, duke thënë se i jep kahe të duhur një gabimi historik.

OKB-ja dhe Bashkimi i Evropian i konsiderojnë vendbanimet si të paligjshme. Madje, sipas një vendimi të fundit nga BE-ja, të gjitha produktet që vijnë nga këto territore, duhet ta kenë vulën e origjinës, përkatësisht të tregojnë se vijnë nga vendbanimet ilegale izraelite.

Vendbanimet janë bashkësi të krijuara nga Izraeli në tokën e pushtuar në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Ato kanë qenë prej kohësh burim i mosmarrëveshjeve mes Izraelit, bashkësisë ndërkombëtare dhe Palestinës.

Të hënën, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se ndërtimi i vendbanimeve civile izraelite nuk është në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.