Botë

Putin mbron Trumpin nga amerikanët

Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Presidenti Donald Trump nuk i ka përcjellë informata sekrete Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov kur u takuan javën e kaluar në Uashington dhe shton se ai ka transkriptet e bisedave që e provojnë një gjë të tillë.

Në komentet që bëri në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Italian Paolo Gentiloni, zoti Putin tha se Lavrov nuk i kishte sjellë informata sekrete, për të cilat po diskutohet intensivisht në Uashington. Ai shtoi se është i gatshëm të bëjë publike përmbajtjen e bisedave, transmeton Zëri i Amerikës.

Presidenti Trump është vënë në pozitë mbrojtëse këtë javë, pasi media njoftoi se ai kishte nxjerrë informata sekrete në bisedimet me Ministrin Lavrov dhe Ambasadorin rus në Uashington, Sergei Kisliak.

Presidenti dhe ndihmësit e tij kanë hedhur poshtë njoftimet e medias se zoti Trump nxori informacione sekrete që do të kompromentonin burimet dhe metodat e grumbullimit të informacionit. Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare H.R. McMaster e cilësoi si plotësisht të rregullt bisedën e zotit Trump me shefin e diplomacisë ruse.

Sipas njoftimeve në media, presidenti nxori informata që lidheshin me një plan të ISIS për të fshehur bomba në kompiutera portativë që futen në avionë pasagjerësh.

Presidenti Putin tha se ndjenjat anti-ruse në Amerikë po dëmtojnë vendin dhe nuk po i japin mundësi Presidentit Trump të qeverisë si duhet. Ai akuzoi kritikët e zotit Trump se janë prekur nga “skizofrenia politike”.