Botë

Zjarri masiv përfshin kështjellën 600 vjeçare në Japoni

Foto: Getty Images

Një zjarr masiv ka përpirë dhe ka shkatërruar një kështjellë japoneze që daton që nga shekulli i 14-të.

Kështjella Shuri, vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në Naha, kryeqyteti i prefekturës Okinawa, në Japoninë jugore, u përfshi nga flakët gjatë ditës së sotme, raporton “The Daily Mail”.

Pamjet ajrore të vendit paraqesin tërë kompleksin 600 vjeçar të përfshirë në zjarr.

Një pamje tjetër tregon se i tërë objekti është shkatërruar dhe gjithçka ka mbetur nga ai është skeleti, transmeton Koha.net.

Zjarrfikësit ende janë duke luftuar me flakët. Nuk është thënë nëse dikush është lënduar në këtë fatkeqësi.

Policia ka thënë se zjarri ka përfshirë pothuajse tërësisht ndërtesën kryesore të kështjellës, Seiden, si dhe hollin verior, i njohur si Hokuden.

Sipas rojave të kështjellës, zjarri është shkaktuar nga një reaksion termik me sensorin e sistemit të sigurisë.

Kështjella ka qenë shkatërruar e rindërtuar disa herë që nga ndërtimi i saj në vitet e 1300-ta, zakonisht nga lufta, por më e fundit është gjatë Betejës së Okinawas më 1945.

Kështjella është e ndarë në pesë objekte të ndryshme ndërsa Seideni është pjesa më e dekoruar.

Më 1992, kështjella u rikonstruktua siç ishte në fillim gjatë periudhës së Mbretërve Ryuku bazuar në të dhënat historike, fotografike dhe memorike.