Botë

Kompania J&J thotë se pudra e bebeve nuk përmban asbest

Descriptive Text

Kompania Johnson & Johnson, që tërhoqi 33,000 shishe të pudrës për bebe gjatë këtij muaji, të martën tha se ka ritestuar pudrën e saj “Johnson’s Baby Powder” dhe nuk ka gjetur asnjë shenjë të asbestit që nxiti edhe tërheqjen nga tregu të produktit.

Kompania hoqi nga tregu pudrën pasi Administrata për Ushqim dhe Barna (FDA) tha se kanë gjetur gjurmë të asbestit, një karcinogjen i njohur, në një shishe të porositur online, transmeton Koha.net.

J&J, e cila tha se dy laboratorë të jashtëm kanë kryer 15 teste të reja në pudrën e bebeve, tha se “testimet rigoroze dhe nga palët e treta konfirmojnë se nuk ka asbest” në pudrën e saj të bebeve dhe se i qëndrojnë prapa “sigurisë së produktit tonë”.

Kompania J&J tha se nga testimet e FDA-së u gjet përmbajtje e vogël e asbestit, jo më e madhe se 0.00002%.

Zyrtarët e FDA-së thanë se u qëndrojnë prapa rezultateve të tyre që treguan kontaminim me asbest, sipas Reutersit. FDA-ja nuk i është përgjigjur CNBC-së për komentim.

Kompania në fjalë është duke u përballur mbi 15 mijë padi që thonë se produktet e tyre, përfshirë edhe pudrën e bebeve, shkaktojnë kancer.

J&J mohon pretendimet. Ka thënë se në bazë të studimeve dhe testeve të shumta nga rregullatorë në mbarë botën kanë treguar se produktet e tyre janë të sigurta dhe pa asbest.