Botë

Hunter Biden u mundua të qëndronte larg vëmendjes, por Trumpi nuk e la

Foto: AP

Hunter Biden frekuentonte shpesh ngjarjet politike dhe mitingjet e të atit. Por kur ish nënpresident Joe Biden filloi zyrtarisht fushatën e tij për kandidat president të partisë demokrate në maj në Filadelfia, Hunter Biden nuk ishte aty.

Vendimi i tij për të qëndruar larg vëmendjes erdhi në mesin e një vale shkrimesh të turpshme për jetën e tij të trazuar personale, alkoolin dhe varësinë nga droga, dhe vendimet e debatueshme të biznesit. Megjithatë, përpjekjet e tij për të ulur profilin e tij për të ndihmuar babanë e tij në përpjekjen e tij të tretë dhe me sa duket përfundimtare për presidencë, rezultuan të pasuksesshme.

Për muaj të tërë, Presidenti Donald Trump ka kërkuar të minojë kandidaturën e përparuar të Joe Biden-it për të fituar emërimin e partisë demokrate duke sugjeruar praktika të pabaza korruptive të bëra nga Joe dhe Hunter Biden.

Me Dhomën e Përfaqësuesve që po kryen tani një hetim për të nisur procedurat për shkarkimin e presidentit lidhur me përpjekjet e Trumpit për të inkurajuar ndërhyrjen e Ukrainës në zgjedhjet amerikane në vitin 2020, presidenti i përgatitur për betejë po i bën thirrje hapur Ukrainës dhe Kinës që të hetojnë Joe dhe Hunter Biden për akuza të kundërshtuara prej kohësh ose për të cilat mungojnë prova.

Thirrje për hetim

Thirrjet e guximshme të Trump për hetime janë një përpjekje e hollë e maskuar për të larguar vëmendjen armiqësore ndaj tij, dhe nuk ka të ngjarë të ngadalësojnë hetimin e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve, që mund të përfundojë para fundit të vitit. Por edhe disa nga kritikët e presidentit Trump e pranojnë se ka më shumë se një zhurmë të papërshtatshme për shfrytëzimin e emrit të familjes nga Hunter Biden për të kapur pozicione shumë fitimprurëse, ndërsa babai i tij shërbeu në Senat dhe më vonë si nënpresident.

Këto përfshijnë pozicione me një firmë private investimesh, partnerët e së cilës përfshinin subjektet kineze, menjëherë pasi ai vizitoi Kinën me babanë e tij në vitin 2013 dhe një pozitë në kompaninë më të madhe ukrainase të gazit natyror që filloi në prill 2014 ndërsa Joe Biden ishte njeriu i administratës Obama në Ukrainë.

“Realiteti është se emri të hap derën dhe ti po e përdor emrin e famshëm si një klient privat”, thotë Meredith McGehee, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Issue One, në Uashington.

Hunter Biden, 49 vjeç, ndoqi atë rrugë për karrierën e tij.

Më i riu nga dy djemtë e Joe Biden, Hunter Biden lindi në vitin 1970, kur babai i tij, asokohe avokat, shërbente në Këshillin Bashkiak në New Castle të shtetit Delaware. Kur Hunter ishte 2 vjeç, ai mbijetoi në një aksident automobilistik që vrau nënën dhe motrën e tij dhe la Hunterin dhe vëllanë e tij të madh, Beau Biden, të plagosur keq.

“Kujtimi im i parë”, tha Hunter në funeralin e vëllait të tij Beau në vitin 2015, https://www.youtube.com/watch?v=CjUgXILBHxM “është kur ishim në spital në krah të njëri tjetrit. Isha gati 3 vjeç. E mbaj mend vëllanë tim, i cili ishte një vit e një ditë më i madh se mua, që më mbante dorën, në shikonte në sy dhe më tha, të dua, të dua, të dua. Dhe e përsëriti këtë disa herë.”

Joe Biden, i cili sapo ishte zgjedhur në Senat, mbajti ceremoninë e tij të betimit në një spital të Wilmingtonit ndërsa dy djemtë e tij të plagosur ishin në shtrat dhe shihnin babanë e tyre. https://www.huffpost.com/entry/joe-biden-swearing-in-photo_n_7477592

Droga, alkooli

Ashtu siç ka treguar për revistën New Yorker në disa intervista Hunter Biden, https://www.newyorker.com/magazine/2019/07/08/will-hunter-biden-jeopardize-his-fathers-campaign filloi të pinte në shkollë të mesme, dhe pastaj përdori drogë në kolegj, vese që rënduan në jetën e tij ndërsa u përpoq për gati një dekadë të largohej prej tyre.

Hunter Biden u martua i ri, vetëm një vit pas kolegjit në vitin 1993. Martesa e tij 24-vjeçare përfundoi në një divors të hidhur në vitin 2017, duke dhënë material për revistat rozë rreth një jete me “drogë, alkool, prostitute dhe klube striptizmi". https://pagesix.com/2017/03/02/ex-claims-hunter-biden-blew-money-on-hookers-drugs/

Përgjatë karrierës së tij – si avokat, bankier dhe konsulent -- Hunter është akuzuar se ka përdorur emrin e babait të tij.

/shkrimin e plotë e gjeni në Zërin e Amerikës/