Botë

Pompeo në Maqedoninë e Veriut, konfirmim i rikthimit amerikan në Ballkanin Perëndimor

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, po qëndron në Maqedoninë e Veriut në kuadër të turneut në disa shtete të Ballkanit. Në aeroportin e Ohrit ai është pritur me nderime të larta shtetërore nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ndërsa më pas është nisur në takime drejtuesit e tjerë lartë shtetërorë, presidentin, Stevo Pendarovski dhe kryeministri, Zoran Zaev.

Pas takimeve të ndara do të ketë një konferencë për mediat për të përcjell mesazhet e takimit, që sipas qeverisë në Shkup, kanë të bëjnë me mbështetjen amerikane për integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe vlerësimeve për Marrëveshjen e Prespës, si një hap shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin në Ballkan.

Temë tjetër e takimeve është edhe roli destabilizues i Rusisë në rajon, si dhe për rolin e SHBA-së për paqen në këtë pjesë të rajonit.

Para ardhjes në Maqedoninë e Veriut, zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, kanë thënë se vizita paraqet një sinjal mbështetës për Maqedoninë e Veriut, rruga e së cilës është hapur tashmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por edhe si konfirmim se Shtetet e Bashkuara mbeten shumë të përqendruara në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili në anën strategjike, është i rëndësishëm për vizionin e bashkimit, lirisë dhe paqes të Evropës.

Presidenti Stevo Pendarovski, pas takimit të mërkurën në Shkup me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, vizitën e Pompeos e kishte vlerësuar si simbolikë të kthimit të madh amerikan në Ballkan.

“Kuptohet se Pompeo nuk vjen në rajon për zgjidhjen e sfidave, por vjen për t’i falënderuar ato vende, të cilat ndër vite ishin në kursin Euroatlantik duke udëshmuar vendeve të rajonit se kjo është rruga më efikase në ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe me prosperitet. Vizita e tij është simbolikë për kthimin në dyer të mëdha të SHBA-së në Ballkan. Problemet kyçe te ne janë zgjidhur me mbështetjen e SHBA-së. Ato nuk do të mund të zgjidheshin pa përfshirjen amerikane në këto procese”, ka deklaruar Stevo Pendarovski.

Edhe njohësit e çështjeve ndërkombëtare, kanë dhënë vlerësime të larta për vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në Maqedoninë e Veriut dhe shtetet tjera në rajon, si konfirmim të rikthimit amerikan pas, siç thonë, kapaciteteve të pamjaftueshme të BE-së për të menaxhuar me situatat gjeopolitike.

“Kështu që definitivisht SHBA-ja i kthehet rajonit pas alarmit se fuqishëm po depërton në rajon segmenti rus, turk dhe kinez. Vizita e Pompeos është e lidhur në këtë aspekt dhe çdo përkrahje në drejtim të strukturave, të cilat janë të orientuara drejt euro-atlantizmit, pra drejt NATO-s dhe BE-së, janë kompaktibile me një politikë të tillë dhe kjo vizitë është një dëshmi e gjithë kësaj”, thotë Mersel Bilalli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare.

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ka rritur edhe masat e sigurisë në shtet.

Në qytetin e Ohrit ku pritet të qëndrojë kreu i diplomacisë amerikane, vërehet prani e shtuar e policisë dhe agjentëve të sigurimit shtetëror, ndërsa do të ketë edhe një devijim të qarkullimit të automjeteve për të mundësuar lëvizjen e papenguar të delegacionit të lartë nga SHBA-ja.

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, është e para e një niveli kaq të lartë që nga vizita e ish-sekretarit, Colin Powell, 19 vjet më parë/REL.