Botë

Së paku 63 të vdekur nga sulmi i mbrëmshëm në një dasmë në Kabul

Foto: Reuters

Një sulmues vetëvrasës vrau 63 dhe lëndoi 182 të tjerë në një dasmë në kryeqytetin afgan të shtunën mbrëma, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes atje, derisa dhuna nuk tregon shenja të qetësimit pavarësisht shpresave për një marrëveshja për tërheqjen e trupave amerikane.

Sulmi erdhi derisa talebanët dhe SHBA-ja po tentojnë të negociojnë një marrëveshje për tërheqjen e forcave amerikane në shkëmbim të një përkushtimi nga ana e talebanëve për bisedime për siguri dhe paqe me qeverinë e Afganistanit të mbështetur nga SHBA-ja, raporton Reuters.

Talebanët kanë mohuar përgjegjësinë për sulmin në dasmën në perëndim të Kabulit, një lagje kjo me pakicë shiite, transmeton Koha.net.

Gra dhe fëmijë janë në mesin e viktimave, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi, të shtunën.

Fotografitë e publikuara në mediat sociale tregojnë trupa të shtrirë në mesin e tavolinave e karrigeve të rrotulluara në sallën e dasmës, me shenja gjaku në tepih. Sulmuesi goditi pjesën e pritjes së burrave.

“Të gjithë po vraponin”, ka thënë një kamerier i sallës, Sayed Agha Shah, pas shpërthimit.

“Disa nga kamerierët tanë u vranë e u lënduan”.

Një banor, Mohammad Hasan, me të dëgjuar shpërthimin, ka dalë në vend të ngjarjes.

“Pash shumë gra e fëmijë duke bërtitur e qarë”, thotë ai.

Ky nuk është sulmi i parë në salla dasmash në Kabul. Në nëntor, së paku 40 person u vranë nga një shpërthim i ngjashëm në Kabul.

Dy zëdhënës të talebanëve lëshuan komunikata duke mohuar përgjegjësinë e sulmit të së shtunës mbrëma.

Në Afganistan operojnë edhe militantë të ISIS-it të cilët kanë kryer sulme të përgjakshme në qytete e fshatra, disa prej të cilëve për cak kishin pakicën shiite.