Botë

Qeveria e ekstremit të djathtë në Itali i shpëton dorëheqjes

Zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini, me partinë e tij “Liga” i ka shpëtuar dorëheqjes, pasi qeveria italiane siguroi fitore në votimet e senatit për dekretin që ashpërson masat ndaj anijeve që po shpëtojnë emigrantët afrikanë.

Koalicioni qeverisës i partisë “Liga” dhe Lëvizjes 5-yjet ka pasur probleme të brendshme gjatë javëve të fundit dhe në rast se do të dështonte mocioni i votëbesimit, qeveria do të duhej të jepte dorëheqje, transmeton KTV. Këtë dekret e krijoi Salvini që si një djathtist ekstrem, ka shfrytëzuar pozitën në qeveri, për të mbyllur portet për të gjitha anijet e shpëtimit të emigrantëve.

Dekreti kundër emigrantëve tashmë ka kaluar në dhomën e ulët dhe tash pritet të bëhet ligj pak para se parlamenti të nisë pushimet verore. Mocioni i votëbesimit shpesh përdoret nga qeveritë italiane për të përshpejtuar miratimin e ligjeve dhe për të shmangur debate të ndryshme.

Me këtë dekret, gjobat për anijet e shpëtimit që hyjnë pa leje në portet italiane, do të ngrihen në 1 milion euro nga 50 mijë sa ishin deri më tani.

Gjithashtu, me këtë ligj mundësohet arrestimi i kapitenëve të anijes që refuzojnë urdhrat e autoriteteve italiane.