Botë

Rumania e bllokon, Hungaria lejon kalimin e dërgesës ushtarake ruse për Serbinë

Duke inspektuar 10 automjetet e blinduara ruse të mbërritura rishtas në një bazë të ushtrisë serbe në Nish, presidenti serb Aleksandar Vuçiq falënderoi presidentin rus Vladimir Putin për "forcimin" e ushtrisë së Serbisë.

Të transportuara në Serbi me avionë rusë përmes hapësirës ajrore hungareze, grupi i automjeteve të kundërzbulimit BRDM-2 është pjesë e një dërgese shumë më të madhe.

Pjesa e mbetur e kësaj dërgese, janë rreth 20 automjete të tjera të kundërzbulimit dhe dhjetëra tanke të përmirësuara të epokës sovjetike T-72, që u bllokuan në kufirin rumun. Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Rumanisë, zyrtarët e doganës rumune nuk lejuan kalimin e tyre përmes lumit Danub për shkak të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë në lidhje me veprimet e saj në Ukrainë.

Megjithëse Serbia shprehu zhgënjim në lidhje me pjesën e bllokuar të dërgesës, Rumania, anëtare e BE-së dhe NATO-s, thjesht po zbatonte kufizimet tregtare të mandatuara nga Bashkimi Evropian.

Hungaria, njëkohësisht anëtare e BE-së dhe e NATO-s, mbrojti vendimin e saj për të lejuar kalimin e pajisjeve ruse nëpër hapësirën e saj ajrore pavarësisht sanksioneve evropiane ndaj Rusisë.

Duke iu drejtuar gazetarëve në Budapest të mërkurën, shefi i kabinetit të kryeministrit hungarez Viktor Orbán, Gergely Gulyás, tha se dërgesa ishte miratuar sepse ngarkesa do të kalonte nëpër hapësirën ajrore hungareze në një aeroplan civil, e jo ushtarak.

"Natyrisht që ne njoftohemi për hyrjen e një aeroplani civil në hapësirën ajrore hungareze, por ky ishte një njoftim në përputhje të plotë me protokollin, i cili thjesht duhet të pranohet", tha Gulyás, duke shpjeguar se për transitet jo ushtarake në hapësirën ajrore nuk ka nevojë për një leje të veçantë.

I pyetur nëse Hungarisë do t’i kërkohet llogari për shkeljen, një zëdhënës i BE-së tha:"Ne kemi i parë njoftimet. Pa komentuar mbi specifikat, zbatimi i masave kufizuese të BE-së është përgjegjësi e vendeve anëtare të BE-së".

Zyrtarët e NATO-s, gjithashtu, nuk thanë shumë në lidhje me përpjekjet e fundit të Rusisë për të ndihmuar Serbinë të forcojë ushtrinë e saj.

"NATO-ja respekton plotësisht të drejtën sovrane të të gjitha vendeve, përfshirë Serbinë, për të vendosur për marrëveshjet e tyre politike dhe të sigurisë", tha një zëdhënës i NATO-s për Zërin e Amerikës. "Në të njëjtën kohë, NATO dhe Serbia janë partnerë. Për shembull, Serbia ishte organizatore e stërvitjes tonë më të madhe të urgjencës civile, që ndihmoi aleatët e NATO-s, Serbinë dhe partnerët e tjerë, të rrisin gatishmërinë për trajtimin e fatkeqësive natyrore, si përmbytjet dhe zjarret".

Zëdhënësi shtoi se NATO ka punuar me Serbinë për të reformuar forcat dhe institucionet e sigurisë, "trajnimet e NATO-s gjithashtu ndihmojnë ushtarët serbë të kontribuojnë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare".

"Ne kemi investuar miliona euro për të ndihmuar Serbinë të shkatërrojë mbi 200 tonë municion", tha zëdhënësi.

Serbia, e cila pretendon se është neutrale në aspektin ushtarak, tashmë ka marrë gjashtë avionë luftarakë MiG-29 nga Rusia dhe po negocion blerje shtesë të armëve nga Rusia, përfshirë helikopterë luftarakë dhe transporti, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Disa ekspertë thonë se forcimi ushtarak i Serbisë, i mbështetur nga Rusia, kërcënon paqen në rajonin e brishtë politik të Ballkanit.

"Unë përshëndesë vendimin e Rumanisë për zbatimin e embargos tregtare të BE-së ndaj Rusisë", i tha Zërit të Amerikës, Jorge Benitez, një ekspert i NATO-s në organizatën Këshilli Atlantik.

"Kjo është e rëndësishme dhe një shenjë shumë e nevojshme e unitetit evropian dhe shtylla kurrizore kundër përpjekjeve të Rusisë për të militarizuar dhe destabilizuar më tej Ballkanin," tha ai. "Shtetet e tjera të BE-së duhet të ndjekin shembullin e Rumanisë dhe të përmbushin angazhimet e tyre ndaj demokracive evropiane. Lejimi i Rusisë për të lëvizur më shumë tanke në Evropën juglindore është veprim i rrezikshëm dhe kërcënon sigurinë kombëtare të të gjitha demokracive në rajon".

Serbia zyrtarisht dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por nën presionin politik dhe propagandues nga Moska, Beogradi është duke rrëshqitur vazhdimisht drejt Kremlinit dhe qëllimit të tij për t'i mbajtur vendet e Ballkanit jashtë NATO-s.

Në vitet 1990, gjatë luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, Serbia ishte në luftë me fqinjët e saj Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën.

Duke folur në ceremoninë e pranimit të automjeteve të blinduara të hënën në bazën e ushtrisë serbe në Nish, që ndodhet rreth 88 kilometra në lindje të kufirit të Kosovës, ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko tha se Moska "është e gatshme dhe gjithmonë do të jetë e gatshme për bashkëpunim ushtarak dhe teknik me Serbinë".

Për Presidentin Vuçiq, dukej se pajisjet ushtarake ishin elementi më i rëndësishëm se gjithçka tjetër.

"Gjëja më e rëndësishme për ne është që ne kemi arritur t'i transportojmë automjetet në Serbi", tha para gazetarëve Presidenti Vuçiq "Është puna jonë se si dhe në çfarë mënyre arritën ato", shtoi ai.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit ende nuk u janë përgjigjur kërkesave të Zërit të Amerikës për një reagim mbi këtë çështje./VOA/