Botë

Shkarkimi i drejtorit të FBI shkakton stuhi politike në Uashington

Shkarkimi i James Comey u kthye në shkëndijën e një stuhie të vërtetë politike në Uashington. Lëvizja e Donald Trump ka ngjallur menjëherë te demokratët, dhe jo vetëm ata, dyshimin se Shtëpia e Bardhë po përpiqet të pengojë hetimin e FBI-së mbi lidhjet e bashkëpunëtorëve të tij me Rusinë.

Një pjesë e këtyre zërave e krahasuan veprimin e Trump me atë që njihet si “masakra e së shtunës mbrëma” në vitin 1973, kur presidenti i atëhershëm Richard Nixon pushoi nga puna një prokuror të posaçëm të pavarur, i cili po hetonte mbi skandalin “Watergate”.

“Është vërtet për t’u çuditur sesi mund të shkarkosh njërin prej zyrtarëve të tu më të lartë hetimor, në kohën kur ai person është në mesin e një hetimi, i cili mund të përfshijë edhe individë në radhët e administatës qeverisëse. E kemi parë një president t’i pezullojë njerëzit që hetonin për të, por ai ishte Richard Nixon dhe në fund u detyrua të jepte dorëheqjen. Administrata ‘Trump’ mbase shpreson që të tjerët nuk do ta heqin këtë paralele, por të gjithë e shohin ngjashmërinë mes dy situatave”, tha Sam Erman, “USC Gould School of Law”.

Për kreun e demokratëve në Senat, ky ishte një gabim i madh.

“Çfarë është kjo që ndodhi? E dimë se Dhoma e Përfaqësuesve po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhje, nga të cilat përfitoi fushata e Trumpit. E dimë se Senati po heton. FBI-ja ka kërkuar gjithashtu të hedhë dritë mbi këtë çështje. Akuzat janë të rënda. Mos vallë këto hetime po i afroheshin pak si shumë presidentit?”, pyet Chuck Schumer, kreu i demokratëve në Senat.

Vetë Hillary Clinton u përpoq të tregonte se Comey nuk e ka ndihmuar aspak.

“Unë isha duke fituar deri në momentin që Comey dërgoi në Kongres letrën ku njoftonte rinisjen e hetimeve mbi përdorimin e serverit tim privat”, tha Clinton.

Për demokratët, shkarkimi nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për të mbuluar hetimin mbi lidhjet me Rusinë, ndërsa disa republikanë thonë se ndoshta ky nuk ishte momenti i duhur për ta marrë një vendim të tillë.