Botë

Trumpi kërcënon me taksë verën franceze pas “budallallëkut” të Macronit

Descriptive Text

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar homologun e tij francez, Emmanuel Macron, për “budallallëk” në lidhje me një taksë për shërbime digjitale, dhe ka paralajmëruar se do të vë taksë ndaj verës franceze si kundërmasë

Trumpi të premten ngriti shqetësimin e tij në Twitter në lidhje me planet franceze për t’u vënë taksë firmave multinacionale siç është Google, raporton BBC.

Autoritetet franceze thonë se firmat paguajnë pak ose fare taksë korporative në vendet ku nuk kanë baza, transmeton Koha.net.

E Administrata e Trumpit ka thënë se taksa padrejtësisht prek gjigantët teknologjikë amerikanë.

“Franca sapo ka vënë taksë digjitale ndaj kompanive tona të mëdha amerikane. Nëse dikush i vë taksë atyre, duhet të jetë vendi i tyre amë, SHBA-ja”, shkroi Trumpi në Twitter.

“Ne do të paraqesim një veprim substancial reciprok ndaj budallallëkut të Macronit shumë shpejt. Gjithmonë kam thënë se vera amerikane është më e mirë se vera franceze”, ka shkruar më tej ai.

SHBA-ja është konsumatori më i madh në botë i verës dhe tregu më i madh importues, ndërsa Franca është vazhdimisht ndër vendet e para si importues i verës.

Ndërsa ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, të premten tha se Franca nuk do të tërhiqen nga plani për taksë digjitale. “Taksimi universal i operacioneve digjitale është sfidë që na prek të gjithëve”, tha ai.

Të premten, presidenti Macron dhe presidenti Trump diskutuan mbi nevojën për një marrëveshje ndërkombëtare për taksimin digjital të gjigantëve teknologjikë.

Qeveria franceze thotë se firmat multinacionale siç është Apple, që bazën e kanë jashtë vendit të tyre, paguajnë pak ose fare taksë në shitjet e tyre në Francë. Taksa mbi shitjet digjitale është aprovuar nga senati francez të enjten, një javë pasi kaloi në dhomën e ulët, që është Asambleja Kombëtare.