Botë

Sela në takim me Reeker, ky i fundit i premton mbështetjen amerikane për Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela ka realizuar takim me Ndihmës Sekretarin Amerikan Phillip Reeker.

Takimi tyre është zhvilluar në kuadër të vizitës që ndihmës-Sekretari Amerikan Reeker po e realizon në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në takim, siç njofton kumtesa nga ASH, është biseduar për zhvillimet politike në vend me theks të veçantë reformat në gjyqësor dhe prokuroria publike.

Sela, thuhet në kumtesë, fillimisht e ka njoftuar ndihmës Sekretarin Reeker për zhvillimet politike në vend e sidomos për propozimin e Aleancës për Shqiptarët që prokurori i përgjithshëm të jetë nga vendet e BE-së me arsyetimin se është rrënuar kredibiliteti dhe besueshmëria e sistemit aktual gjyqësor.

“Propozimi ynë është një zgjidhje e mundshme për të kthyer besimin e qytetarëve tek institucionet”, citohet të ketë thënë Sela.

Ndihmës Sekretari P.Reeker, thuhet në kumtesë, ka ripërsëritur mbështetjen amerikane për Maqedoninë e Veriut dhe gatishmërinë për të ndihmuar vendin në rrugën euro-atlantike, por gjithashtu edhe angazhimin maksimal për rritjen e kapaciteteve demokratike që në Maqedoninë e Veriut të funksionojë shteti i së drejtës.