Botë

Bolsonaro refuzon të dhënat që tregojnë për gjendje alarmante në Amazonë

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, ka akuzuar institutin e shtetit të vet të hapësirës. Ai ka thënë se instituti hapësinor po gënjen lidhur me gjendjen e shpyllëzimit të Amazonës. Ai ka thënë se instituti e ka dobësuar reputacionin e Brazilit jashtë vendit, duke pohuar rritje enorme të shpyllëzimit.

Presidenti ekstremist djathtist, tha se dëshiron të takohet me kreun e agjencisë për të diskutuar këtë çështje, transmeton KTV. Por, instituti nga ana e vet pohon se të dhënat që posedon janë 95% të sakta.

Bolsonaro komentoi rreth situatës në Amazonë, pasi të premten u publikuan pamje satelitore në të cilat shihej se më shumë se 1 mijë metra katrorë të maleve janë asgjësuar vetëm në 15 ditët e para të korrikut, ndryshe rritje prej 68% krahasuar me një vit më parë. Por Bolsonaro, pretendon se të dhënat janë në shpërputhje me realitetin.

E shkencëtarët thonë se Amazona ka vuajtur shumë nga shpyllëzimi që nga koha kur Bolsonaro mori përsipër udhëheqjen e shtetit në janar me politika që favorizojnë zhvillimin në atë zonë të mbrojtur. Si mali më i madh në botë, Amazona është zonë e rëndësishme e cila ngadalëson ngrohjen globale.

Bolsonaro madje ka mohuar urinë në Brazil duke thënë se nuk ka njerëz në rrugë. Por agjencia e OKB-së për Ushqim dhe Agrikulturë raporton se janë rreth 5.2 milionë brazilianë që nuk kishin ushqim vetëm në vitin 2017.