Botë

Bushati: Gjenocidi i Srebrenicës, një nga momentet më të errëta të njerëzimit

Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ka kujtuar 24 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku u vranë mbi 8 mijë myslimanë.

“Sot përkujtojmë gjenocidin e Srebrenicës, mijëra boshnjakë të vrarë në vitin 1995, si një nga momentet më të errëta të njerëzimit në historinë moderne evropiane. Në të njëjtën kohë, qëndrojmë kundër retorikës nxitëse për mohimin dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës të dënuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare e Ish-Jugosllavisë”, ka shkruar Bushati në Twitter.

Kujtojmë se Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.