Botë

Për vizë amerikane do të kërkohen të dhëna edhe nga rrjetet sociale

Departamenti amerikan i Shtetit ka propozuar zbatim kriteresh më të ashpra verifikimi për kandidatët që kërkojnë vizë të SHBA, që do të përfshijnë edhe aktivitetin përmes rrjeteve sociale, njofton Reuters, transmeton Al Jazeera. Ky vendim përputhet me planin e presidentit Donald Trump, i cili ka kërkuar kufizime dhe verifikime shtesë për personat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kriteret e reja që do të shqyrtojnë shërbimet konsullore të ambasadave të SHBA do të përfshijnë edhe pyetje rreth profileve në rrjetet sociale për personat që u kërkohet të përmbushim kushte shtesë. Vlerësohet se dispozitat e reja do të prekin rreth 65 mijë persona në gjithë botën, të cilët kërkojnë vizë amerikane ndër vite, transmeton Koha.net.

Vendimi s’ka të bëjë me vende të veçanta, por me të gjithë personat për të cilët vlerësohet se “për shkak të lidhjeve me terrorizmin ose çështje të tjera të sigurisë kombëtare” duhet të kalojnë verifikime shtesë.

Nëpunësit konsullorë nuk do të kërkojnë fjalëkalimet për qasje në rrjetet sociale.

Po ashtu personat e tillë kërkues të vizave amerikane do të jenë të detyruar të tregojnë edhe numrat e të gjitha pasaportave të mëhershme, të japin informata rreth përdorimit të rrjeteve sociale gjatë pesë vjetëve të fundit, e-mail adresat, numrat e telefonave dhe informata biografike gjatë 15 vjetëve të fundit, theksohet.

Nëse miratohen këto dispozita, do të bëhet një hap më tutje në ashpërsimin e mëtejmë të regjimit të vizave sipas kërkesave të presidentit Trump dhe me qëllim të forcimit të sistemit të sigurisë dhe të kufijve të Amerikës.