Botë

Hebrenjtë e rinj në Evropë më të ekspozuar ndaj anti-semitizmit

Evropianët e rinj hebraikë përjetojnë më shumë anti-semitizëm sesa prindërit e tyre, me një rritje të ngacmimeve që vijnë në postën elektronike, mesazhe dhe në mediat sociale, thuhet në një studim të Bashkimit Europian, që u publikua të enjten.

Rreth 44 për qind e të anketuarve, të moshës 16-34 vjeç, thanë se ishin ballafaquar me ngacmime, më shumë se dyfishi i përqindjes, te mbi 60 vjeçarët, thotë Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore.

Më shumë se 80 për qind e hebrenjve, të të gjitha moshave, thanë se ndjenin se antisemitizmi ishte rritur në internet, gjatë pesë viteve të fundit, dhe rreth 70 për qind, thanë se u përballën me më shumë armiqësi në publik.

Edhe hulumtimet tjera kanë bërë të ditur se është shënuar rritje e sulmeve anti-semite në Perëndim, dhe për këtë i kanë fajësuar lëvizjet e krahut të djathtë dhe të majtë, si dhe ato populiste.

Shumica e të anketuarve në studimin e BE-së, thanë se myslimanët e vijës së ashpër ishin të përfshirë në ngacmimet ndaj hebrenjve.

Më shumë se tre të katërtat e hebrenjve të rinj, nuk raportuan incidente të ngacmimeve, thuhet në studim.

Komisionerja Evropian për Drejtësi, Vera Jourova premtoi se do të nxisë shtetet anëtare të BE-së për të bërë më shumë për të trajtuar problemin.

"Evropianët e rinj hebraikë janë më të ekspozuar ndaj incidenteve antisemite se sa prindërit e tyre", tha ajo.