Botë

Kandidatët e Stambollit përplasen në debatin e parë pas 20 vjetësh

Kandidatët për garën e përsëritur të Stambollit, janë përplasur në debatin e parë televiziv që u mbajt pas 20 vjetësh.

Kandidati i partisë së presidentit Erdogan, Binali Yildirim, shkëmbeu akuza me opozitarin Ekrem Imamoglu që fitoi në zgjedhjet e para që u mbajtën në muajin mars, por që u kontestuan nga partia e Erdoganit.

Yildirim, ish-kryeministër, gati pësoi në zgjedhjet që konsiderohen humbje për presidentin qëkur fitoi pushtetin në vitin 2002, pasi humbi kontrollin e Ankarasë.

Gjatë debatit Yildirim e akuzoi Imamoglun për vjedhje të votave, transmeton KTV.

“Kur ju numëruat votat, ndodhën gjëra të çuditshme. Pati parregullsi. Komisioni Zgjedhor vlerësoi situatën dhe si organizues i zgjedhjeve vendosi për përsëritjen e tyre. Jam i bindur për këtë, sepse votat u vodhën. Kur u numëruan dhjetë për qind të tyre distanca nga 29 mijë vota u shkurtua në 13 mijë. Kjo tregon se rezultati do të ndryshonte po të numëroheshin 90 për qind të votave”, ka thënë Yildirim.

Imamoglu në anën tjetër, i kërkoi përgjegjësi Yildirimit për akuzat e vjedhjes së votave.

“Askush nuk beson në këtë çfarë po thua. Zgjedhjet e Stambollit që u mbajtën më 31 mars ishin të pastra si loti. Nuk ka dyshime për këtë. Po thoni se votat janë vjedhur. Nga kush? Ju mund të thoni se nuk e dini, por kjo është një akuzë e rëndë”, është shprehur Imamoglu.

Gjatë debatit që zgjati tri orë, të dy kandidatët qenë të ashpër ndaj njëri-tjetrit për problemet ekonomike dhe problemet me imigrantët.

Në muajin maj, Komisioni Zgjedhor mori vendim për përsëritje të zgjedhjeve në Stamboll pasi partia e Erdoganit u ankua në parregullsi, e këto ankesa u pranuan nga Komisioni.