Botë

Vëllai i vrarë i Kim Jong-unit “ishte informator i CIA-s”

Kim Jong-nam, gjysmë vëllai i liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka qenë informator i CIA-s para se të vritej më 2017 në Malajzi, ka bërë të ditur një raport i publikuar të martën.

Duke e cituar “një person të informuar mirë mbi çështjen”, e përditshmja “Wall Street Journal” ka shkruar se “ka ekzistuar një lidhje” midis Kim Jong-namit dhe CIA-s, duke shtuar megjithatë se shumë hollësi rreth marrëdhënies së tij me agjencinë amerikane mbesin të paqarta, ka raportuar e përditshmja britanike “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.

Sipas burimit të “...Journal”-it, Kim ka udhëtuar në Malajzi gjatë shkurtit të 2017-s për ta takuar burimin kontaktues me CIA-n, ndonëse ky mund të mos ketë qenë qëllimi i vetëm i udhëtimit. Gazeta ka shtuar po ashtu se Kimi, i cili dikur konsiderohej si favoriti për ta trashëguar babanë e tij, Kim Jong-il, në postin e liderit por që më pas e humbi mbështetjen, mbase nuk ka qenë në gjendje që t’u hedhë fort dritë politikave të brendshme të regjimit.

“Disa ish-zyrtarë amerikane kanë thënë se gjysmë vëllai, i cili ka jetuar jashtë Koresë së Veriut për shumë vite dhe nuk gëzonte ndonjë bazë të mbështetjes në Fenian, nuk ka qenë në gjendje që të ofrojë hollësi rreth punëve të brendshme të vendit të izoluar”, ka thënë burimi i “The Wall Street Journal”. Zyrtarët kanë thënë se Kimi pothuajse sigurt ka qenë në kontakt me shërbimet e sigurisë të vendeve të tjera, përfshirë Kinën.