Botë

Me gjithë protestat, Qeveria e Hong-Kongut zotohet ta kalojë ligjin për ekstradime

Liderja e Qeverisë në Hong Kong ka thënë të hënën se vazhdon të jetë e përkushtuar për miratimin e ligjit të propozuar për ekstradim, përkundër marshit masiv protestues që mblodhi të dielën me qindra mijëra qytetarë nëpër rrugë.

Pakoja ligjore krijon një sistem të transferimeve individuale të të arratisurve midis Hong-Kongut gjysmëautonom dhe rajoneve me të cilat vendi nuk ka marrëveshje të këtilla, përfshirë Kinën, ka raportuar “Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.

Kundërshtarët e ligjit thonë se masa po iniciohet nga Qeveria kineze dhe druajnë se Pekini do ta shfrytëzojë atë për ekstradimin e aktivistëve, disidentëve dhe kundërshtarëve të tjera politikë, të cilët do të përfundonin pastaj në gjykatat mizore dhe të politizuara të Kinës.

Me tone të vendosura, shefja ekzekutive e Hong-Kongut, Carrie Lam, ka thënë të hënën se “pakoja nuk është iniciuar nga Qeveria qendrore popullore (kineze)”. “Nuk kam marrë instruksione për këtë veprim”, ka thënë ajo, teksa shtoi se kundërshtimi ndaj pakos është rezultat i keqkuptimeve.