Botë

Në lindje të Ukrainës raportohet për viktima

Ukraina ka thënë se konfliktet e reja me separatistët e përkrahur nga Rusia në lindje të këtij shteti, kanë rezultuar me dy vdekje të ushtarëve, duke rritur në gjashtë numrin e trupave ukrainase që janë raportuar të vdekur këtë javë.

Kjo situatë ka shtyrë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, t’i bëjë thirrje Moskës për të “frenuar” separatistët.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë më 7 qershor se dy ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur, pasi separatistët kanë shtënë me armë zjarri dhe pajisje tjera ushtarake, 23 herë në 24 orët e fundit.

Zelenskiy ka thënë përmes një deklarate se Rusia ka humbur kontrollin ndaj separatistëve, të cilët i ka quajtur “mercenarë”.

“Shkelja e qartë e marrëveshjeve të Minskut, përdorimi i artilerisë, tregon të paktën, një humbje të pjesshme të kontrollit të mercenarëve. Ne shpresojmë se ana ruse do të rifitojë kontrollin e kësaj njësie”.

Nga prilli i vitit 2014, rreth 13,000 persona janë vrarë në luftime mes forcave të Qeverisë Ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, që kontrollojnë disa pjesë në rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Marrëveshjet për armëpushim, të arritura në Minsk, në shtator të vitit 2013 dhe shkurt të vitit 2015, kanë synuar zgjidhjen e konfliktit, mirëpo kanë arritur që të zbatohen.

Një marrëveshje e re është arritur më 8 mars, mirëpo të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të vazhdueshme të saj.