Botë

Narendra Modi betohet për herë të dytë si kryeministër i Indisë

Narendra Modi është betuar për mandatin e dytë si kryeministër i Indisë, pasi partia e tij ka fituar shumicën në zgjedhjet e mbajtura së fundmi në këtë shtet.

Mijëra persona janë ftuar për të qenë pjesë e kësaj ceremonie në Delhi, duke përfshirë edhe shumë liderë rajonalë, ndonëse në këtë listë është përjashtuar emri i kryeministrit pakistanez, Imran Khan.

Zgjedhjet e fundit janë konsideruar si referendum për 68-vjeçarin Modi, i cili pavarësisht mbështetjes nga një pjesë, akuzohet edhe për krijim të ndasive, transmeton rel.

Ai ka udhëhequr një fushatë të dominuar nga imazhi i tij personal si dhe është fokusuar në sigurinë kombëtare, pas tensioneve që kanë shpërthyer mes këtij shteti dhe Pakistanit në rajonin e kontestuar të Kashmirit muaj më parë.

Ceremonia e betimit të tij është mbajtur në pallatin presidencial.

Partia e Modit, Bharatiya Janata, në koalicion me disa parti tjera ka fituar 354 ulëse në parlamentin me 545 anëtarë.

Qeveria e tij do të jetë nën presion, meqë do të përballet me zvogëlim të trendeve ekonomike dhe shqetësimeve për vende të punës.