Botë

Ukraina inauguron Zelenskyin si president të shtetit

Ukraina pritet të inaugurojë sot Volodymyr Zelenskiyn president të shtetit.

Zelensky, 41-vjeçar, ish-komedian, i njohur më së shumti për rolin e tij si president në një emision televiziv, ka fituar zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 21 prill, me më shumë se 73 për qind të votave të fituara.

Ceremonia e inaugurimit të tij vjen vetëm disa ditë pasi koalicioni në Ukrainë është shpërbërë pasi Zelensky ka bërë të ditur se synon të organizojë zgjedhje të parakohshme në këtë shtet, transmeton rel.

Ky hap është konsideruar si mënyrë për të shtyrë këtë proces, meqë Zelenskiy është zotuar pas fitores se do të bëjë ndryshime, duke konsideruar se ligjvënësit e kësaj legjislature nuk përfaqësojnë interesat e njerëzve.

Sipas kushtetutës, parlamenti ka 30 ditë për të formuar koalicionin e ri qeveritar, derisa presidenti nuk ka të drejtë të nisë procesin e zgjedhjeve të parakohshme gjatë kësaj kohe.

Gjatë fushatës së tij, Zelensky pati premtuar për të luftuar korrupsionin në këtë shtet, si dhe për t’i dhënë fund konfliktit në mes të separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës.

Si pasojë e këtij konflikti, që ka nisur më 2014, kanë vdekur rreth 13,000 persona.