Trump-Abbas zotohen për arritje diplomatike për paqen në Lindjen e Mesme

Trump-Abbas zotohen për arritje diplomatike për paqen në Lindjen e Mesme

04 maj 2017 10:58

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se dëshiron shumë të shikojë nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Izraelit dhe Palestinës...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se dëshiron shumë të shikojë nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

Në fund të takimit në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp në Dhomën “Roosevelt”.

Trump dhe Abbas, u zotuan se do të përpiqen të shënojnë një arritje diplomatike në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

“Jemi në përpjekje për të bërë një hap të ri për paqen në Lindjen e Mesme, por procesi i paqes do të jetë i mundur vetëm si rezultat i bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet dy vendeve. Palestinezët dhe izraelitët duhet të bashkëpunojnë për arritjen e një marrëveshjeje. Do të doja shumë të isha ndërmjetësues ose në rolin e arbitrit, për ta përfunduar këtë punë”, tha Presidenti i SHBA-së.

Trump po ashtu theksoi se ai kishte dëgjuar gjatë jetës së tij se marrëveshja më e vështirë për t’u arritur do të ishte ndoshta ajo ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

“Le t’u provojmë atyre se e kanë gabim. Ne po realizojmë bisedime delikate me shumë palë prej një kohe të gjatë”, tha ai duke shprehur dëshirën që këto përpjekje të japin rezultatin e dëshiruar.

Mes të tjerash, Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme për të ndërmarrë iniciativa ekonomike, të cilat do të nxirrnin në pah potencialin ekzistues të popullit palestinez.

Kurse Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, deklaroi se beson që “të dyja palët janë të afta nën drejtimin e guximshëm dhe aftësinë e madhe negociuese” të Trumpit për të realizuar një traktat paqeje historik.

Mahmoud Abbas nënvizoi se ka ende një shans për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, por disa hapa janë të domosdoshme për këtë.

“Është koha që Izraeli t’i japë fund pushtimit në territoret tona. Zgjedhja jonë strategjike është arritja e marrëveshjes së paqes mbi bazën e një zgjidhjeje me dy shtete në kuadër të kufijve të 1967-s”, tha Abbas duke potencuar se Izraeli duhet të njohë Palestinën dhe Palestina gjithashtu Izraelin.

Duke tërhequr vëmendjen se populli palestinez aspiron të ketë të drejtën për të përcaktuar vetë lirinë, nderin dhe të ardhmen e tij, presidenti palestinez shprehu besimin se Trumpi është i vendosur për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

“Nëse arrihet marrëveshja e paqes, atëherë kjo do të hapë rrugën edhe për normalizimin e marrëdhënieve të vendeve të tjera islame me Izraelin”, theksoi Mahmoud Abbas.

Ai e përfundoi fjalimin e tij me fjalët: “Tani, me ju z. President, ne kemi shpresë.”

Komentet

Shto koment

Të ngjashme