Botë

Siria përplas Erdoganin me Putinin

Foto: Hurriyet

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e ka akuzuar regjimin sirian se po “synon ta sabotojë” raportin e Ankarasë me Rusinë, përmes ofensivës që ka ndërmarrë gjatë ditëve të kaluara në veriperëndim të Sirisë, shtetit të dërrmuar nga lufta.

Përleshjet në provincën e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë, kanë lënë të paktën 42 të vrarë brenda 24 orësh, kanë bërë të ditur të hënën vëzhguesit, teksa bombardimet e regjimit mbi rajonin kanë shkatërruar shërbimet shëndetësore, transmeton “Koha Ditore”.

Erdogani i ka thënë homologut të tij rus, Vladimir Putinit, gjatë një telefonate të hënën mbrëma se ofensiva e forcave të presidentit Bashar al-Assad “synon ta sabotojë bashkëpunimin turko-rus”, ka bërë të ditur Fahrettin Altun, drejtor për komunikim në presidencën turke.

Rusia dhe Turqia janë në anë të kundërta të konfliktit, teksa Moska mbështet fuqimisht Assadin dhe Ankaraja kërkon dëbimin e tij.