Botë

Shtëpia e Bardhë po i rishikon planet ushtarake kundër Iranit

Foto: Reuters

Zyrtari kryesor amerikan i mbrojtjes ia ka paraqitur presidentit Donald Trump një plan të përditësuar ushtarak, që parasheh dërgimin e deri në 120.000 ushtarëve në Lindje të Mesme, po që se Irani i sulmon forcat amerikane apo e përshpejton punën në programin bërthamor, ka raportuar të hënën gazeta amerikane, “The New York Times”.

Duke cituar zyrtarë të administratës, gazeta shkruan se ushtruesi i detyrës së Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan e ka paraqitur planin gjatë një takimi të krerëve kryesorë të sigurisë në administratën Trump, të enjten, transmeton “Koha Ditore”.

Tensionet ndërmjet Iranit dhe SHBA-së janë përshkallëzuar që kur Trumpi u tërhoq nga marrëveshja ndërkombëtare e 2015-tës për frenimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit dhe vendosi sanksione strikte mbi Teheranin.

Irani e ka akuzuar SHBA-në për “luftë psikologjike”, teksa praninë ushtarake amerikane e ka quajtur “cak” e jo kërcënim.