Botë

1.000 të arrestuar nga protesta ambientaliste njëjavore në Londër

Rreth një mijë persona janë arrestuar në Londër që kur protestat ambientaliste filluan një javë më parë.

Policia britanike njoftoi se për 40 persona janë ngritur akuza për lidhje me protestën e organizuar nga grupi ambientalist ‘Extinction Rebellion’.

Protestuesit kërkojnë veprim urgjent nga qeveria për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe krizën ekologjike.

Ata kanë bllokuar disa rrugë kryesore dhe të frekuentuara në Londër.

Protestuesit kërkojnë që qeveria të pranojë se ka krizë mjedisore, të zbatojë politika ligjërisht obligative për të reduktuar emetimin e karbonit deri në vitin 2025, si dhe të formojë asamblenë e qytetarëve për mbikëqyrjen e ndryshimeve të nevojshme, transmeton KTV.

Shumica prej protestuesve lirohen brenda disa orëve, pas dhënies së deklaratave në stacionet policore.

E, aktiviteti për çështje mjedisore është karakterizuar edhe nga Greta Thunberg.

Adoleshentja suedeze, shkolla e së cilës hyri në grevë për çështje klimatike, është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe dhe ajo në mbarë botën po shihet si udhëheqëse e kërkesave për veprim të shpejtë në mbrojtje të Tokës.

“Njerëzimi tani është në udhëkryq. Ne duhet të vendosim se cilën rrugë do ta marrim. Si dëshirojmë që të jenë kushtet e jetesës për secilën specie? Jemi mbledhur këtu, por edhe në gjithë botën, sepse ne kemi zgjedhur rrugën për mbrojtje të ambientit dhe po presim që edhe të tjerët të ndjekin shembullin tonë”, ka thënë ambientalistja Greta Thunberg.
 

Kauza e shkollës së saj ka frymëzuar protesta në mbarë botën.

Shkolla e saj fton nxënësit që çdo të premte të bojkotojnë mësimin dhe të protestojnë për ndryshimet klimatike.

Shtatë muaj më parë, askush nuk e dinte se kush ishte Thunbergu kur, si 15-vjeçare, bëri fushatë jashtë Parlamentit të Suedisë.

Që atëherë, ajo tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, duke marrë përkrahjen e shumë të rinjve të zhgënjyer nga progresi i ngadalshëm për veprime kundër ndryshimeve klimatike.

Në fund të muajin të shkuar, deputetët evropianë kanë miratuar ndalimin e produkteve plastike për një përdorim, e që përbën problem në rritje për oqeanet.

Në praktikë, kjo rregullore do të prekë produktet plastike si thika, pirunë, mbajtëse ushqimi dhe produkte të tjera të ngjashme.

Parlamenti Evropian votoi për këtë ligj me 560 vota për dhe vetëm 35 kundër.

Shtetet evropiane tani mund të zgjedhin vetë metodat e tyre në reduktimin e përdorimit të plastikës.

Së fundmi, plastika është bërë shqetësim dhe një nga shkaktarët kryesorë për ngordhjen e gjallesave të ndryshme ujore.

Muajin e kaluar një balenë u gjend në Filipine me 40 kilogram gjëra plastike në stomak.