Botë

Biden do të shpallë kandidimin presidencial të mërkurën

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Binden, planifikon që ta bëjë publik kandidimin e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet një videoje të mërkurën, ka raportuar të premten revista “Atlantic”, duke cituar burime të afërta nga radhët e ndihmësve të tij.

Njoftimi pason spekulimet disamujore rreth asaj nëse Bideni, një figurë e fuqishme e partisë demokrate, do të përfshihet në garën për nominim partiak që do t’ia hapte rrugën atij për ta sfiduar presidentin, Donald Trump, më 2020, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Videoja e Bidenit do të përmbajë pamjet e xhiruara dy javë më parë para shtëpisë së tij në Scranton të Pennsylvanias, ka raportuar gazeta.

Biden ka shërbyer 36 vjet në Senatin amerikane, duke e përfaqësuar shtetin e Delawares dhe tetë vjet si nënpresident në administratën e presidentit Barack Obama. Duke qenë në moshën 76-vjeçare, ai do të bëhet kandidati i dytë më i moshuar i partisë demokrate, pas senatorit Bernie Sanders, i cili është 77 vjeç.

Me kandidimin e tij, lista e pretendentëve presidencialë demokratë do të zgjerohet në 19. Vëzhgues politikë janë pyetur gjatë javëve të fundit nëse Bideni e ka shtyrë vendimin e tij shkaku i pretendimeve të fundit nga disa gra se Bideni i ka bërë që të ndihen keq, kur i ka prekur gjatë ngjarjeve të ndryshme politike në të shkuarën. Bideni u është përgjigjur këtyre pretendimeve, duke thënë se beson që kurrë gjatë karrierës së tij të gjatë publike nuk është sjellë në mënyrë të papërshtatshme.

“Do të jem shumë më i kujdesshëm dhe kjo është përgjegjësi imja”, ka thënë Bideni. “Gjatë gjithë jetës kam punuar për fuqizimin e grave. Dhe jam angazhuar përherë për parandalimin e abuzimeve”.