Botë

Raporti i Muellerit nuk konstaton se Trumpi u përfshi në ndonjë krim, por as nuk e shfajëson atë

Hetimet e Këshilltarit të Posaçëm amerikan, Robert Mueller, rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 2016 nuk kanë konstatuar se presidenti, Donald Trump, ka kryer ndonjë krim në këtë proces por as nuk e kanë shfajësuar atë plotësisht, thuhet në versionin e redaktuar të këtij raporti të publikuar të enjten.

Publikimi i shumëpritur i hulumtimit zbardh një seri incidentesh, në kuadër të të cilave Trumpi ka ndërmarrë veprime për t’i penguar hetimet në atë që çoi drejt ngritjes së pyetjeve nëse ai ka kryer veprën kriminale të pengimit të drejtësisë. Publikimi i këtij raporti është moment i ballafaqimit me realitetin për presidencën e trazuar të Traumpit, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Në qershor të 2017-s, Trump iu drejtua këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, për t’i thënë prokurorit të atëhershëm të përgjithshëm se Muelleri ka konflikt interesi dhe duhet të shkarkohet nga posti i Këshilltarit të Posaçëm, thuhet në raport. Aty thuhet po ashtu se ekzistojnë “dëshmi substanciale” se Trumpi e shkarkoi James Comeyin nga posti i drejtorit të FBI-së më 2017 si pasojë e “mosgatishmërisë së tij për të deklaruar publikisht se presidenti nuk ishte nën hetime”.

Muelleri ka cituar po ashtu “disa dëshmi” që sugjerojnë se Trumpi ka qenë në dijeni të bisedimeve kundërthënëse të ish-këshilltarit të tij për Siguri Kombëtare, Michael Flynn, me ambasadorin rus para se ai të vinte në krye të Shtëpisë së Bardhë. Mirëpo Mueller ka specifikuar se dëshmitë ishin “të pamjaftueshme” dhe nuk mund të përdoreshin për të krijuar lidhjen me fajësinë.

Raporti thotë po ashtu se Trumpi iu drejtua ish-menaxherit të fushatës, Corey Lewandowski, për t’i kërkuar prokurorit të përgjithshëm, Jeff Sessions, që të thotë se hetimet ruse janë “shumë të padrejta”.

Para publikimit të raportit, prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, ka mbrojtur me shumë pasion Trumpin, duke nënvizuar se raporti i Muellerit nuk ofron dëshmi për bashkëpunimin në mes të fushatës Trump dhe Moskës.