Botë

Greqia i kërkon Gjermanisë 300 miliardë euro dëmshpërblim lufte

Parlamenti grek ka votuar të mërkuren mbrëma për inicimin e një fushate diplomatike që Gjermania të paguajë miliarda euro si dëmshpërblim për okupimin nazist të Greqisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, një çështje kjo për të cilën Berlini thotë se është zgjidhur shumë kohë më parë.

Greqia ka pësuar dëme të mëdha gjatë okupimit nazist dhe një komision parlamentar më 2016 e ka përcaktuar shifrën prej 300 miliardë eurosh.

Vota, vendimi i parë zyrtar nga parlamenti rreth çështjes së dëmshpërblimit, pritet që të tensionojë edhe më shumë raportet me Gjermaninë, shtetin të cilin shumë grek e fajësojnë për masat e dhimbshme shtrënguese, të cilat iu imponuan Greqisë në shkëmbim të huave për ta ndihmuar gjatë krizës financiare.

“Kjo kërkesë paraqet detyrën tonë historike dhe morale”, ka deklaruar kryeministri grek, Alexis Tsipras në fund të debatit gati 12-orësh, që është përmbyllur me miratimin e propozimit të paraqitur nga kryetari i parlamentit, Nikos Voutsis.

“Për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, ne duhet t’i mbyllim rastet e hapura dhe Gjermania duhet ta bëjë të njëjtën”, ka thënë ai.