Botë

Danimarka vazhdon kontrollet kufitare, shkak kërcënimi nga militantët islamikë

Danimarka do të zgjasë kontrollet e përkohshme përgjatë kufirit me Gjermaninë deri në nëntor, për shkak të, siç thuhet, kërcënimeve për sigurinë dhe nevojës për kontrollimin e rrjedhës së migrantëve.

Lajmi u bë publik nga ministri danez për Migrimin dhe Integrimin, Inger Stojberg.

"Ekziston një kërcënim i vazhdueshëm për rendin tonë publik dhe sigurinë e brendshme, i cili vjen nga militantët islamikë, të cilët mund të shfrytëzojnë lëvizjen e lirë brenda zonës së Shengenit", tha Stojberg në një letër dërguar komisionarit të Bashkimit Evropian për migrimin, Dimitris Avramopoulos.

Edhe vendet e tjera të BE-së janë njoftuar me këtë vendim, tha ministri danez, transmeton rel.

Sipas tij, kontrollet kufitare në Danimarkë do të vazhdojnë deri më 12 nëntor.

Ato kanë nisur në fillim të vitit 2016 në vendkalimet kufitare me Gjermaninë, përfshirë terminalet e trageteve dhe kufirin e përbashkët tokësor.

Danimarka është vend anëtar i zonës Shengen, e cila u mundëson njerëzve të lëvizin lirshëm në Evropë, pa nevojën e pasaportave ose kontrolleve kufitare.