Botë

Rusia miraton projektligjin që mund ta vë Internetin në kontroll të Qeverisë

Descriptive Text

Ligjvënësit rusë mbështetën të enjten kontrollet më të serta të Internetit në vend me qëllim të mbrojtjes nga ndërhyrjet e jashtme, duke e kaluar me shumicë votash në Parlament draftligjin që kritikët e cilësojnë si mjet për thellimin e kontrollimit të Qeverisë mbi Internetin dhe përdorimin e tij për shtypjen e disidencës.

Duke e shpërfillur pakënaqësinë e politikanëve opozitarë dhe të aktivistëve të të drejtave të njeriut, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus e kaloi në lexim të dytë versionin kryesisht të pandryshuar të ligjit, i cili synon ngufatjen e “sovranitetit” të Internetit në Rusi, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Ligji synon ta kanalizojë trafikun dhe të dhënat e Internetit rus përmes mjeteve të kontrolluara nga autoritetet shtetërore. Në këtë synim, planifikohet krijimi i një Sistemi kombëtar të Domenit të brendshëm, ashtu që Interneti të vazhdojë së funksionuari edhe nëse Rusia shkëputet nga infrastruktura ndërkombëtare. Përpiluesit e ligjit pretendojnë se masa është e domosdoshme për mbrojtjen e vendit, pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i zbatuan ato që ata i quajtën politika të reja agresive të sigurisë kibernetike gjatë vitit të kaluar.

SHBA-ja ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, një akuzë kjo që është hedhur poshtë nga Moska, e cila tani pretendon se është e rrezikuar nga ndërhyrjet e jashtme.

Në rast se pakoja e masave miratohet në leximin e tretë dhe të fundit në Parlament dhe e siguron aprovimin e Dhomës së Lartë dhe nënshkrimin e presidentit, Vladimir Putin, atëherë do të shndërrohet në ligj dhe të hyjë në fuqi më 1 nëntor.