Botë

“WikiLeaks” pretendon se Assange po spiunohet përbrenda ambasadës së Ekuadorit

Themeluesi i “WikiLeaks”, Julian Assange, i është nënshtruar një operacioni të sofistikuar spiunimi në ambasadën e Ekuadorit, ku është strehuar që prej vitit 2012, ka bërë të ditur të martën përfaqësuesit e uebfaqes.

“’WikiLeaks’ ka zbuluar ekzistencën e një operacioni masiv spiunimi kundër Julian Assanges përbrenda ambasadës së Ekuadorit”, ka thënë Kristinn Hrafnsson, kryeredaktor i “WikiLeaks”, duke shtuar se “dëbimi” i Assanges nga ambasada mund të ndodhë çdo moment.

Megjithatë Hrafnsson nuk ofroi dëshmi për këto pretendime, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”. Marrëdhëniet mes Assanges dhe nikoqirëve të tij janë përkeqësuar që kur Ekuadori e akuzoi atë për rrjedhjen e informacioneve rreth jetës personale të presidentit, Lenin Moreno. Moreno ka thënë se Assange ka shkelur kushtet e azilit.

Për disa, Assange është hero që i zbardhi ato që mbështetësit i cilësojnë se keqpërdorime të detyrës në shtete moderne dhe e cilësojnë kampion të lirisë së shprehjes. Por për disa, ai është një rebel i rrezikshëm që ka vënë në rrezik sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Assange është strehuar në ambasadë për ta shmangur ekstradimin në Suedi, ku autoritetet presin që ta marrin në pyetje në kuadër të hetimeve për sulm seksual. Hetimet më pas janë ndërprerë por “WikiLeaks” druan se SHBA-ja synon që ta persekutojë.