Botë

Edhe një grua e akuzon Bidenin për sjellje të pahijshme

Foto: Reuters

Një grua tjetër akuzoi ish-nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për sjellje të pahijshme.

Amy Lappos, ndihmëse e një kongresisti demokrat, tha se Bideni i ka prekur fytyrën me të dyja duart dhe se ka fërkuar hundën e tij me të sajën, dhjetë vjet më parë.

Akuzat vijnë pasi Lucy Flores, ish-anëtare e Asamblesë së Nevadës, tha se Bideni e ka puthur atë në pjesën e prapme të kokës, në një ngjarje politike, shkruan rel.

Biden tha se nuk beson se ka vepruar ndonjëherë në mënyrë të papërshtatshme.

Pas akuzave të para kundër tij, Biden tha se është i gatshëm “të dëgjojë me respekt”.

Biden, ish-senator i Dellauerit, i cili ka shërbyer si nënpresident i SHBA-së gjatë dy mandateve të presidentit Barack Obama, shihet si kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA.

Megjithatë, një aleat i tij i tha CNN-it se Bideni nuk po e rishqyrton kandidimin për Shtëpinë e Bardhë pas akuzave kundër tij.