Botë

Pa informacione për bisedat Trump-Putin në Helsinki

Shtëpia e Bardhë refuzoi kërkesën e tre komiteteve të Kongresit amerikan për informacione rreth bisedave private midis presidentit Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, gjatë takimit në Helsinki, verën e kaluar.

“Presidenti duhet të jetë i lirë të angazhohet në diskutime me udhëheqësit e huaj, pa frikë se këto komunikime do të zbulohen”, tha në përgjigje këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Cipollone.

Tre komitetet e Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan detaje nga bisedat e Trumpit dhe Putinit ballë për ballë dhe përmes telefonit.

Ata po ashtu kërkuan të verifikojnë nëse Trump ka bërë përpjekje të fshehë ndonjë dëshmi rreth këtyre bisedave.

Prejse demokratët kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ata janë bërë më këmbëngulës në hetimin e Shtëpisë së Bardhë, përcjell rel.

Në takimin në Helsinki, Trump ka habitur shumë ligjvënës republikanë dhe demokratë të Kongresit amerikan, kur ai i ka kundërshtuar të gjeturat e agjencive amerikane të inteligjencës rreth ndërhyrjes së Rusisë në çështjet politike të SHBA-së.

Në një postim të mëvonshëm në Twitter, ai po ashtu i ka cilësuar hetimet e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, rreth ndërhyrjes ruse, si “gjueti të manipuluar shtrigash”.