Botë

UNESCO: Miliarda njerëz të privuar nga e drejta për ujë

Me gjithë përparimet e bëra gjatë 15 viteve të fundit, qasja te uji i pijshëm, i sigurt dhe i pastër, është një objektiv i paarritshëm për pjesën më të madhe të popullsisë së botës.

Në vitin 2015, tre në 10 persona (2,1 miliardë) nuk kishin qasje te uji i pijshëm dhe 4,5 miliardë njerëz, ose gjashtë në 10, nuk kishin shërbime sanitare të sigurta.

Kjo u zbulua nga raporti i fundit i UNESCO-s mbi çështjen e ujit në botë me titull “Askush të mos mbetet pas”, botuar në kuadrin e Ditës Botërore të Ujit, që është 22 marsi.

Në 2017, konfliktet dhe përndjekjet detyruan 68,5 milionë njerëz të iknin nga shtëpitë e tyre, ndërsa 25,3 milionë njerëz në vit janë të detyruar të emigrojnë për shkak të fatkeqësive natyrore, dy herë më shumë se në fillim të viteve ‘70.

“Refugjatët janë një kategori shumë e prekshme”, thotë Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën duke kujtuar se qasja te uji i pastër është një e drejtë njerëzore e njohur ndërkombëtarisht/ATSH- ANSA.